Kështjella u ndërtua në vitet 1572 – 1574, nga feudali vendas, Mehmeti, me porosi të Portës së Lartë Osmane. Pas përfundimit të punimeve kështjella u pajis me topa dhe në të u vendos një garnizon ushtarësh. Kështjella me planimetri ketërkëndëshe (100 X40 m) ka dy porta, dhe 5 kulla vrojtimi. Nga burimet historike njihet me saktësi si qëllimi dhe koha e ndërtimit të saj. Gjatë shekullit të XVI –të, Ishmi përfshihej në Sanxhakun e Ohrit që ishte një krahinë e mbushur me revolta fshatare dhe trazira për perandorinë Osmane.
Për këtë arsye edhe feudali Mehmet i propozoi Portës së Lartë që të ndërtohej një kala në Ishëm, e cila do të ruante vilajetin nga kryengritësit, me kusht qe t’i jepej Sanxhaku në sipërmarrje për mbledhjen e detyrimeve fiskale të shtetit. Kështjella është ndërtuar mbi një kodër në lindje të fshatit Ishëm. Prej saj, shikimit i hapet një horizont i gjerë. Nga veriu dhe lindja vrojtohen fusha pjellore e Ishmit dhe shikimi ndahet në vargmalin Krujë – Dajt, ndërsa nga perëndimi vrojtohet grykëderdhja e lumit, Kepi Rodonit dhe një pjesë e bregut të Detit Adriatik. Muret forcohen nga pesë kulla të cilat me përjashtim të një kulle këndi me planimetri rrethore dhe një tjetre pesëkëndëshe, kanë forma drejtëkëndëshe.