Muzeu Etnografik i Gjirokastrës ndodhet në lagjen Palorto, në rrugën “Hysen Hoxha”, në jugperëndim të Shqipërisë. Ndërtesa aktuale u ndërtua në vitet 1964–1966 në vendin ku ndodhej shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës, e cila ishte shkatërruar nga një zjarr. Godina u ndërtua si model i një shtëpie tradicionale gjirokastrite të shekullit XIX, duke ruajtur stilin e karakteristik të banesave të gurta me elemente osmano-ballkanike.
Nga viti 1966 deri në 1991, godina shërbeu si Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare për qarkun e Gjirokastrës, ndërsa pas viteve ’90 u transformua në Muze Etnografik, me qëllim ruajtjen dhe paraqitjen e trashëgimisë materiale të zonës.
Ekspozita e muzeut paraqet jetën dhe kulturën e familjeve të pasura tregtare dhe administratore osmane të Gjirokastrës në shekullin XIX. Dhomat janë të sistemuara si “në përdorim”, duke krijuar një përvojë autentike të mënyrës së jetesës së dikurshme.
Në mjediset e muzeut ekspozohen veshje popullore, mobilje tradicionale prej druri, orendi shtëpiake, vegla pune, si dhe elemente karakteristike të arkitekturës vendase si papafingoja, dollapët e murit dhe dekorimet e brendshme me motive artizanale.
Sot, Muzeu Etnografik i Gjirokastrës është një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytetin-muze, duke ofruar një pasqyrë të gjallë të traditave, mjeshtërisë dhe stilit të jetesës në Gjirokastrën e shekullit XIX.