Përballë fushës së bukur të Drinos, Malit të Gjerë dhe zonës së Dropullit të poshtëm, gjendet fshati Nepravishtë, që ngrihet nën këmbët e malit të Buretos. Shtëpitë e fshatit Nepravishtë janë ndërtuar mes pemësh dhe rrethohen me kopshte të bukur, ballkone me avlli e vazo me trëndafila.
Nëpër përrenjtë që zbresin nga mali janë krijuar katër lagje si lagjia e Sipërme, Kapsaqi, Lagjia e Poshtme, Lagjia e qendrës së fshatit. Nepravishta ndodhet 20 kilometra nga Gjirokastra, dhe është fshati më i madh i krahinës së Libohovës.
Ky fshat ofron disa atraksione për t’i vizituar si Kalaja e Melanit, Teqeja e Melanit dhe Kisha Paleokristiane e Manastirit, e cila tërheq vizitorë nga e gjithe Shqipëria. Burimi i Nepravishtës ose i Vrizit është shumë i njohur për të gjithë vizitorët, ndërkohë vitet e fundit po gjen përhapje agrobiznesi.