Glikoja

Glikoja është padyshim ëmbëlsira e preferuar e të gjithëve në Përmet. Jo thjesht një ëmbëlsirë e sherbetosur, por një traditë e rëndësishme e kulinarisë shqiptare që ka si përbërës kryesor fruta e perime të ndryshme si gliko arre e cila bëhet me arra të papjekura ende në lëvozhgën e tyre të gjelbër, patëllxhan, fiq të egër, kumbulla dhe kajsi.

Mënyra e përgatitjes varet nga lloji i glikosë, por thelbësore është përzgjedhja e kujdesshme e frutave, të cilat më pas lihen të zhytyra në një përzierje me ujë të ftohtë dhe gëlqere për t’u ngurtësuar. Frutat përzihen me sheqer dhe zihen për një orë. Limoni shtohet në momente të ndryshme kohore për të ruajtur ngjyrën e artë të frutave a perimeve. Kur fruti ka përthithur shurupin, glikoja ftohet dhe ruhet në kavanoza qelqi. Tradicionalisht shërbehet në festa familjare ose për të pritur mysafirë.

Facebook
LinkedIn
Email
X