Lugina e gjerë ku rrjedhin lumenjtë Fani i Madh dhe Fani i Vogël, masivi malor mbresëlënës i Munellës me reliev kompleks karstik, grykat e thella dhe luginat e fshehura e bëjnë Mirditën një peisazh natyror magjepsës.
Toka bujqësore e ndarë në ngastra, shtigjet e mushkave, rrugët moderne, kështjellat e rrënuara, kishat e vjetra dhe të reja, kullat, shpellat, kanalet vaditëse dhe bujtinat ndërtojnë një peisazh kulturor të pasur, që dëshmon për zellin e banorëve që nga parahistoria deri në ditët e sotme. Për të apasionuarit pas eksplorimeve, Mirdita është një lloj El Dorado i “Vendeve të Humbura”.
Mirdita, për shumëkënd e panjohur, mbart një mori fshehtësish që presin të zbulohen. Duke lënë bregdetin e Adriatikut pas vetëm 40 km, do të gjeni një botë tjetër – një vend kryeneç, bujar dhe në të njëjtën kohë tërheqës, i cili premton shumë surpriza. E banuar nga fiset ilire që në epokën e bronzit, për një kohë të shkurtër e vetëshpallur si shteti i parë shqiptar, qëndrestare në luftë kundër osmanëve dhe e përbuzur gjatë komunizmit, Mirdita sot ofron mistere arkeologjike dhe vende magjepsëse.

























