Kulla e Sahatit u ndërtua në vitin 1822 nga Haxhi Et’hem Beu me ndihmën e familjeve të pasura të qytetit. Fillimisht ishte 30 m e lartë dhe kishte një mekanizëm me kambanë, pa fushë e akrepa. Në vitin 1928 u shtua 5 m në lartësi, u vendosën 4 fusha me akrepa dhe një çati veneciane, duke reflektuar kalimin nga stili osman në atë perëndimor. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u dëmtua, por u restaurua më 1946. Për dekada, mbeti ndërtesa më e lartë e qytetit dhe është simbol i Bashkisë së Tiranës, së bashku me Xhaminë e Et’hem Beut.