E ndërtuar në shekullin XVIII me kontributin e Esnafit të Tabakëve, kjo urë guri mbi lumin Lana është një nga veprat më autentike të arkitekturës osmane në Tiranë. Dikur pjesë e rrugës tregtare që lidhte Tiranën me Shëngjergjin, ura luajti një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të qytetit, duke lidhur zonën e zanateve dhe dyqanet e kasapëve në të dy brigjet e Lanës.
Me një hark të madh qendror dhe dy harqe anësore, ura ka një lartësi prej rreth 7.5 metrash dhe një strukturë të veçantë me kalldrëm prej gurësh lumi. Arkitektura harmonike dhe ndërtimi i saj i qëndrueshëm dëshmojnë mjeshtërinë e ndërtuesve tiranas të asaj kohe.
E restauruar në vitet ’90, sot Ura e Tabakëve është një monument i mbrojtur dhe shërben si urë këmbësore, duke ruajtur historinë e qytetit në çdo hap.